Komiteti është një grup pune këshillues dhe koordinues i kryesuar nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, që ka si objektiv përmirësimin e procesit të politikës tregtare dhe lehtësimin e tregtisë, nëpërmjet dialogut mes përfaqësuesve të qeverisë, komunitetit të biznesit në Shqipëri dhe grupeve të tjerë të interesuara.
Objektivi kryesor i Komitetit është të veprojë si një forum për përmirësimin e procesit të politikave tregtare dhe zbatimit të tyre, lehtësimit të tregtisë, dhe përcaktimin e drejtimeve kryesore të lehtësimit të tregtisë.
Komiteti është organizuar dhe funksionon bazuar në parimet e mëposhtme:
a) Parimin e transparencës duke publikuar në faqen e internetit të Komitetit çdo vendim të Komitetit ose/dhe çdo rekomandim të drejtuar Kryeministrit ose ministrave të veçantë.
b) Parimin e parandalimit të konfliktit të interesit në çdo vendim të Komitetit sipas dispozitave të Ligjit Nr. 9367 date 7 Prill 2005 “Mbi parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike”.
c) Parimin e mbrojtjes së interesit publik dhe të drejtave të biznesit, duke nxitur përfshirjen dhe duke mundësuar dëgjimin e zërit të biznesit nga organet vendim-marrëse e ekzekutive në vend.
d) Parimin e proporcionalitetit dhe mosdiskriminimit, duke trajtuar në mënyrë të barabartë interesit dhe kërkesat e ardhura nga komuniteti i biznesit.