Detyrat e Sekretariatit Teknik
Sekretariati Teknik është një njësi teknike ekzekutive e ngritur bazuar në Urdhrin e Kryeministrit, Nr. 80 Datë 12.5.2016 “Për Ngritjen e Grupit Ndërinstitucional Kombëtar për Koordinimin e Politikës Tregtare dhe Lehtësimin e Tregtisë. Struktura përgjegjëse për tregtinë pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes shërben si sekretariat teknik për Komitetin. Sekretariati teknik koordinon punën për përmbushjen e objektivave të Komitetit dhe hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit 2016-2020.
Urdhri i ministres per ngritjen e sekretariatit
Funksionet e Sekretariatit Teknik janë (por pa u kufizuar në) si më poshtë:
- Përgatit një axhendë për një periudhë 6 mujore. Çështjet e kësaj axhende, do të shërbejnë si referencë kryesore për axhendën e takimeve dhe për ftesat për grupet e tjerë të interesit;
- I propozon Komitetit për diskutim paraprak axhendën për takimin e ardhshëm, bazuar në propozimet e anëtarëve të Komitetit, dhe propozim të drejtpërdrejtë të komunitetit të biznesit;
- Në koordinim me kryetarin e Komitetit, përgatit axhendën për takimin e ardhshëm dhe, pas miratimit të saj nga Kryetari, shpërndan materialet që do të diskutohen tek anëtarët e Komitetit dhe të ftuarit e tjerë, të paktën 15 ditë kalendarike para takimit të ardhshëm;
- Organizon takimet e Komitetit dhe fton në takim grupet e interesuara, pas marrjes së pëlqimit të Kryetarit të Komitetit;
- Koordinon aktivitetet e Komitetit me ministrat respektivë, dhe organizon takimet konsultuese me biznesin për çështjet që do të jenë objekt diskutimi në Komitet;
- Organizon sesionet e trajnimit teknik e profesional për aspektet e lehtësimit të tregtisë;
- Asiston Komitetin në diskutimin dhe ri-shikimin e çështjeve specifike sektoriale e procedurat ligjore e administrative, të cilat janë sjellë në vëmendjen e Sekretariatit Teknik.
- Përgatit një axhendë kërkimi, studimesh e analizash për aspekte që lidhen me çështje të lehtësimit të tregtisë ndërkombëtare, ndjek procedurat e institucionit ose donatorëve për rekrutimin e konsulentëve, dhe paraqet para Komitetit rezultatet e kërkimit, studimeve e analizave.
- Përgatit proces-verbalet e takimeve të Komitetit dhe i shpërndan ato për aprovim jo më vonë se 5 ditë pune mbas mbledhjes respektive;
- Ndjek zbatimin e propozimeve të Komitetit, vlerëson rezultatet dhe impaktin e propozimeve të Komitetit mbi lehtësimin e tregtisë, i raporton Komitetit për këto rezultate/impakt, si dhe informon grupet e tjerë të interesit për progresin e arritur nga zbatimi i rekomandimeve;
- Informon publikun e gjerë mbi aktivitetet e Komitetit, duke përdorur para së gjithash faqen e internetit t ë Komitetit si një pikë informacioni të aksesueshme nga të gjithë;
- Përgatit, kur është e nevojshme, ndryshime të rregullave që përmbahen në Rregulloren e brendshme me qëllim përmirësimin e funksionimit të Komitetit dhe ia paraqet Komitetit dhe Kryetarit për miratim;
- Vendos dhe mban marrëdhënie me komunitetin e biznesit, donatorët, organizatat ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë me organizatat e lehtësimit të tregtisë ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe grupe të tjerë të interesit.