Në vijim të konkluzioneve të dala përgjatë takimit të tretë të Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë, mbajtur në Maj 2017, u organizua një sesion i përbashkët informues me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave mbi dispozitat e reja të Kodit Doganor.
Ky sesion informues njohu më nga afër të pranishmit mbi zhvillimet dhe risitë e përcjella me hyrjen në fuqi të dispozitave të Kodit Doganor. Në këtë sesion ishin të pranishëm përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Tregtisë dhe Industrisë, Shoqata e Agjentëve Doganorë, Ambasada Gjermane, përfaqësues të Biznesit etj. Gjithashtu, ky takim mundësoi një dialog midis institucioneve qeveritare dhe biznesit për tu njohur më nga afër me ndryshimet e reja ligjore, por edhe për tu diskutuar problematikat e deritanishme.
Përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave sqaruan se Kodi i ri Doganor përafron më tej procedurat doganore evropiane dhe ofron lehtësira të mëtejshme për eksportuesit shqiptarë. Nga ana tjetër, u sqaruan disa koncepte si Operatori Ekonomik i Autorizuar, procedurat e zhdoganimit lokal, deklarimi i thjeshtuar, trajtimi tarifor favorizues, magazinimi doganor dhe ai i përkohshëm etj.
Me qëllim akomodimin sa më të mirë të komunitetit të biznesit u dakordësua organizmi i takimeve të ngjashme në muajt në vijim. Për këtë qëllim do të përgatitet një kalendar sesionesh informuese mbi procedurat e Kodit të ri Doganor, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nëpërmjet Komitetit Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Agjencive Doganore dhe biznesit, sipas nevojave të tyre.